Zhvillimi normal nga 0 deri në 3 vjeç

HYRJE
Vitet e hershme të jetës janë kritike për zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijës dhe vendosin themelet për fitimin e aftësive që ndikojnë mbi sjelljen, të mësuarin dhe shëndetin e tyre. Ndërhyrjet e hershme për promovimin e zhvillimit të fëmijës gjatë kësaj periudhe kritike kanë përfitime afatgjata në gjithë jetën e fëmijëve tanë.
Zhvillimi i hershëm i fëmijës nuk është sinonim vetëm i shëndetit të fëmijës. Ndërkohë që fëmijët luftojnë për mbijetesë, ata luftojnë që të zhvillohen nga pikpamja mendore, shoqërore dhe emocionale.
Kujdesi dhe zhvillimi në fëmijërinë e hershme prfshin të gjitha llojet e mbështetjes për të cialt ka nevojë një fëmijë i vogël për t’u zhvilluar në jetë, pra shëndetin, ushqyerjen, zhvillimin psiko-emocional, krijimin e mundësive për arsimim dhe të mësuarin aktiv. Mirëqenia dhe shëndeti i fëmijëve është një çështje që na prek të githëve dhe të gjithë ne duhet të jemi pjesë e zgjidhjeve.


ZHVILLIMI FIZIK

Zhvillimi fizik ka të bëjë me dy kuptime:

  • Kuptimi I parë me rritjen në madhësi, peshë, gjatësi. Te shumica e fëmijëve kjo ndodh natyrshëm dhe varet nga ushqimi që konsumon.
  • Kuptimi i dytë është aftësia gjithnjë në rritje për të përdorur trupin që të arrihen qëllime të caktuara.

Pjesa më e madhe e fëmijërisë i kushtohet këtij proçesi të zotërimit përmes një praktike të pafund veprimesh motorike si: të vrapuarit, ngjitja, kërcimi, dhe veprime të tjera motorike të përpunuara si të shkruarit, të kuptuarit ose zgjidhja e një enigme.
Për të patur një zhvillim fizik optimal të fëmijëve 0-3 vjeç prindërit apo edukatorët të sigurojnë një gamë të gjerë të përvojave të mëdha e të vogla motorrike që i nxitin dhe mbështesin foshnjat e fëmijët gjatë kohës që ata nisin të eksplorojnë mjedisin e tyre fizik.
Foshnjat duhet të shikojnë sende interesante, t’i kapin, ti godasin ato, t’i rrëmbejnë, t’i mbajnë e t’i tundin këto sende, të zvarriten etj.
Fëmijët që ecin kanë nevojë për më shumë vend. Ata shtyhen, tërhiqen, lëvizin sendet lart dhe poshtë, shëtisin, ngjiten, kërcejnë përpjetë dhe vrapojnë.

Aktivitete për zhvillimin motorrik

  • Qëndrimi në dysheme – Foshnjat dhe fëmijët e kësaj moshe kanë nevojë për hapësirë dhe qëndrim në dysheme për t’u shtriqur, për të arritur sende ë ndryshme, për të goditur, për t’u rrotulluar etj.
  • Masazhimi – Nëpërmjet një masazhi të butë duke i tërhequr lehtë këmbët, krahët i stërviten muskujt dhe  fëmija bëhet i ndërgjegjshëm për trupin e tij.
  • Këngët dhe Muzika – Këngët dhe muzika gjallërojnë trupin e fëmijës. Ata kënaqen kur i përkunden, kur ngrihen  poshtë e lart sipas ritmit të muzikës.
  • Kapja e sendeve dhe lojërat me gishta – Lojrat me gishta, kapja e sendeve si rraketake, unaza plastike aftësojnë te fëmijët shprehitë e kapjes dhe të arritjes së një objekti.
  • Piktura, ngjyrosja, plastelina, aktivitetet në natyrë – Aktivitetet të këtij lloji ndikojnë në rritjen e shprehive përqendruese pamore, zhvhvillojnë lëvizjet e muskujve të vegjël dhe të mëdhenj, ata stërviten të ruajnë ekuilibrin etj.


ZHVILLIMI GJUHËSOR

Gjuha fillon që në lindje. Kur lindin foshnjat parapëlqejnë zërin e një të rrituri të veçantë në krahasim me zërin e një të panjohuri. Cdo fëmijë kalon nëpër të njëjtat faza-së pari gugat, pastaj belbëzon e më pas shqipton fjalë të veçuara, por me ndryshime të mëdha. Fëmija mund të përdorë shprehje njëfjalëshe dhe kur është 20 muajsh, ndërsa ndonjë fëmijë tjetër nuk shqipton dot asnjë fjalë dhe kur është 18 majsh, por që të dy janë brenda fazës së zhvillimit normal. Në këtë moshë fëmijët kuptojnë gjuhën e folur më parë se ta përdorin atë. Gjuha për të kuptuar është një domosdoshmëri për të arritur në gjuhën shprehëse. Foshnjat dhe fëmijët e mësojnë gjuhën duke e dëgjuar dhe duke e folur të. Ky proçes zhvillohet së tepërmi kur të rriturit inkurajojnë dhe mbështesin përpjekjet e fëmijës për t’u shprehur.


Aktivitete për zhvillimin e gjuhës

  • Të folurit e qartë dhe i ngadaltë i jep kohë fëmijës të përpunojë nga ana mendore fjalët që dëgjon, ndërsa gjuha e qartë e lejon të identifikojë fjalët e reja.
  • Bashkëbisedimi me radhë, paralelisht dhe emërtimi i objekteve ndihmojnë fëmijën në mësimin e fjalëve të reja dhe rritjen e fjalorit të tij.
  • Leximi dhe shikimi i librave është një nga aktivitetet më të rënësishme që ndihmon në zhvillimin e gjuhës duke i dhënë mundësinë të dëgjojnë fjalë të reja, të panjohura kur ata janë të përqendruar dhe kanë mërrëdhënie të ngrohta me atë që u lexon. Që në muajt e parë të jetës foshnjat kënaqen kur i mban dikush dhe i lexon diçka. Fëmijët duhen inkurajuar t’i prekin dhe t’i shikojnë librat.


ZHVILLIMI KONJITIV
Foshnjat dhe fëmijët deri në tre vjeç studiojnë vazhdimisht objektet rreth tyre. Ata mësojnë për to duke i prekur, shijuar, duke nuhatur e dëgjuar. Ata provojnë shumë cilësi të një objekti dhe mësojnë shumë gjëra për ato cilësi që kanë dhe nuk kanë këto objekte. Ata mësojnë të bëjnë përgjithësime për lidhjet dhe veprimet që ata zbulojnë midis objekteve. Prindi ose edukatori duhet të inkurajojë dhe angazhojë fëmijën në bashkëbisedë për atë që ai po bën, duke qëndruar në nivelin e tyre(kur rrinë bashkë me ta në dysheme). Bashkëpunimi më i mirë për fëmijën është kur ai është në gjendje të zgjuar, të qetë dhe i përqendruar.

Aktivitete për zhvillimin konjitiv

  • Lojra me blloqe, kuba, kuti boshe dhe kuti që mbushen
  • Lojrat me ujë, lojrat muzikore, lojrat në natyrë
  • Lojra me materiale të bëra vetë, lojra të përbashkëta etj.


ZHVILIMI EMOCIONAL/PSIKOLOGJIK
Zhvillimi emocional i fëmijës është po aq i rëndësishëm sa tipet e tjera të përmendura më sipër dhe kërkon të njëjtin nivel kujdesi, mbështetjeje nga prindërit dhe edukatorët.
Fëmijët përjetojnë emocione të ndryshme në periudhën e fëmijërisë. Ata provojnë gëzim e dhemshuri, zemërim e zhgënjim, trishtim e turp, frikë e ankth, besim, kënaqësi dhe krenari. Nuk mund të ketë ndjenja të drejta e të gabuara sepse të gjitha emocionet luajnë një rol të madh në jetën e fëmijëve. Ato japin të dhëna për mirëqenien e tyre.
Ndjenjat pozitive si lumturia dhe besimi, u krijojnë fëmijëve një ndjenjë sigurie dhe i nxitin ata të përsërisin përvoja të kënaqshme. Ndjenjat jo pozitive krijojnë një gjendje jo të mirë  që shkakton  pakënaqësi.

Që nga foshnjëria deri sa bëhen tre vjeç fëmijët kalojnë dy faza të rëndësishme: Krijimi i  BesimitPavarësia.

BESIMI – Në muajt e parë të jetës foshnjat krijojnë një ndjenjë bazë sigurie e besimi ose të kundërtën, të pashpresë dhe të pasigurt. Nëse fëmijët nuk i krijojnë ndjenjat e besimit në këto kohë është shumë më e vështirë t’i krijojnë ato më vonë. Ndjenja e sigurisë dhe e besimit krijohen në marrëdhëniet me të tjerët, nga mënyra sesi i trajtojnë ata të tjerët, ato s’mund të krijohen vetvetiu.

PAVARËSIA – Gjatë vitit të dytë të jetës fëmijët që kanë të zhvilluar një ndjenjë të fortë besimi fillojnë të kenë një pavarësi më të madhe. Fëmijët e pavarur bëjnë atë që mundin për veten, ata do të përfitojnë nga drejtimi që do t’u japin të tjerët, ndërkohë që do të ruajnë disa ide të tyre të pavarësisë. Fëmijët që janë shumë të varur dyshojnë në aftësinë e tyre për të kontrolluar botën që i rrethon ose vetveten dhe mbështeten tek të tjerët për të marrë vendime e për të kryer veprime për ta.
Për një zhvillim emocional sa më optimal, fëmijët kanë nevojë për ngrohtësi, përgjegjësi, respekt në mënyrë që të nxitet vetëbesimi tek ata.